Të dhënat e censit: Grupmosha 15-19-vjeçare u përgjysmua në një dekadë
2024-07-04 15:14:08

Të rinj (Foto Panorama)

Të rinj (Foto Panorama)

Numri i të rinjve në Shqipëri po ulet me shpejtësi. Kur u zhvillua censi në vitin 2011, në të gjithë vendin u numëruan 268.756 të rinj të grupmoshës 15-19 vjeç, por në censin 2023, numri i tyre u përgjysmua me vetëm 142.943 persona, me rënie 47%. Kjo grupmoshë kishte rënien më të madhe në periudhën ndërmjet censeve si në numër, edhe në përqindje, shkruan “Panorama”.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Popullsia e përgjithshme pësoi rënie me 14.8%, ndërsa në grupet e reja moshore, ky raport ishte më shumë se dy herë më i lartë.

Ekspertët e statistikave e shpjegojnë këtë rënie me emigracionin e lartë të të rinjve dhe familjeve me fëmijë pas vitit 2016, nëpërmjet formës së re të emigracionit, azilit ekonomik. Rënie mbi 40% pësuan edhe grupmoshat 10-14 vjeç (41%) dhe 20-24 vjeç (41%).

Në krahun tjetër, rritjen më të fortë në popullsinë e përgjithshme e kishin 90-vjeçarët. Grupi i popullsisë 85-89 vjeç arriti në 26,443 persona në censin 2023, nga 14,738 më 2011-n, me rritje 79%. Struktura e popullsisë tregon rënie dyshifrore në moshat 0 deri në 54 vjeç.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ndërsa rritja nis për grupmoshat 55 deri në 100 vjeç. Grupmoshat në moshë pensioni janë rritur me ritme shumë të larta. Popullsia në moshë pensioni 65+ arriti në 473 mijë persona sipas censit 2023, me rritje 49%.  (Elona)