
Joe Biden (Foto RTSH)
Presidenti amerikan Joe Biden ka reaguar ashpër për vendimin e Gjykatës së Lartë ndaj paraardhësit të tij Donald Trump. Gjykata i dha të drejtë ish-presidentit për të kërkuar imunitet nga ndjekja penale për disa nga veprimet që ai ndërmori në ditët e fundit të presidencës së tij.
Biden e konsideroi veprimin si precedent të rrezikshëm që përmbys parimin bazë të barazisë para ligjit, citon “RTSH”.
Në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë, Biden tha se vendimi i bën një dëm të tmerrshëm popullit, pasi, sipas presidentit amerikan, do të thotë se Trump ka shumë më pak gjasa të mbahet ligjërisht përgjegjës për nxitjen e turmës për të nisur një sulm vdekjeprurës në Kapitol më 6 janar 2021.
“Ky komb u themelua mbi parimin se nuk ka mbretër në SHBA. Secili prej nesh është i barabartë para ligjit. Askush nuk është mbi ligjin, madje as presidenti i Shteteve të Bashkuara. Vendimi i Gjykatës së Lartë pothuajse me siguri do të thotë se praktikisht nuk ka kufij për atë që mund të bëjë presidenti”,- tha Biden.
Vendimi i Gjykatës së Lartë të SHBA-së hedh poshtë një vendim të dhënë më parë nga një gjykatë federale e apelit, sipas së cilës Trump nuk gëzonte imunitet për krimet e supozuara që ai kreu gjatë presidencës së tij për të ndryshuar rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020. (Elona)
