Kina shpall reagimin urgjent në provincën Anhui të goditur nga përmbytjet
2024-07-03 17:28:21

Autoritetet kineze përditësuan të hënën reagimin urgjent të Nivelit III për zbutjen e fatkeqësive, pasi reshjet e mëdha të shiut kanë çuar në përmbytje në provincën Anhui të Kinës Lindore. 

Kina ka një sistem reagimi urgjent me katër nivele për rastet e fatkeqësive, ku IV është niveli më i ulët dhe I ai më i lartë. 

Stuhitë e shiut në Anhui kanë prekur rreth 991 000 banorë dhe kanë çuar në evakuimin e 242 000 prej tyre. 

Lumi Yangzi./CFP

Lumi Jance/CFP

Deri në orën 16:00 të së martës, stuhitë e shiut kanë shkaktuar dëme të mëdha në 36 konte dhe distrikte në shtatë qytete në nivel prefekture në Anhui, sipas autoriteteve të menaxhimit të emergjencave të kësaj province. 

Në pjesën e lumit Jance, lumi më i gjatë i Kinës, në Anhui, uji e ka kaluar nivelin e alarmit dhe vazhdon të rritet. Shirat e rrëmbyeshëm i kanë ngritur ujërat mbi nivelet e tyre të sigurisë apo të alarmit në 20 lumenj të tjerë dhe gjashtë liqene në këtë provincë.

Komisioni Kombëtar për Pakësimin e Katastrofave i Kinës ka dërguar një ekip për të vlerësuar gjendjen e katastrofës dhe për të ofruar udhëzime e mbështetje për përpjekjet e autoriteteve vendore për të ndihmuar në zbutjen e pasojave të katastrofës, sipas Ministrisë së Menaxhimit të Emergjencave. 

Në reagimin e tyre urgjent ndaj stuhisë dhe përmbytjeve, autoritetet në qytetet përgjatë lumit Jance në Anhui kanë dërguar më tepër se 50 000 veta për patrullime. 

Të dielën, drejtoria vendore e furnizimit me  energji elektrike  punoi për dy ditë me radhë për të instaluar një linjë elektrike 1 500 metra të gjatë, që ofron një furnizim të qëndrueshëm me energji për pajisjet e drenazhimit, duke u mundësuar të punojnë 24 orë në ditë dhe të pompojnë ujin e mbledhur.

qyteti Bozhou në provincën Anhui të Kinës veriore/CFP