Ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë, 2 dhe 3 korriku ditë zie kombëtare
2024-07-03 16:35:09

Ismail Kadare (Foto RTSH)

Në nderim të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta mëngjesin e 1 korrikut, qeveria shqiptare shpalli dy ditë zie kombëtare (2 dhe 3 korrik).

Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike, flamuri kombëtar është ulur në gjysmë shtizë.

Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore për shkrimtarin e ndjerë do të organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit më 3 korrik, nga ora 9:00 deri në orën 11:00 dhe nga ora 11:30 deri në orën 12:30, përcjell “RTSH”.

Po ashtu, në nderim të kolosit të letrave shqiptare, më 3 korrik, në orën 13:00, do të mbahet një minutë heshtje.  

Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e së hënës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Shkrimtari i madh e ngjiti letërsinë shqiptare në majat e kulturës botërore.

Ai është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare, si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve të njohur botërisht. (Elona)