Elsa Dhuli (Foto Sot news)
Censi i vitit 2023 ka prodhuar statistika të sakta mbi popullsinë dhe banesat në përputhje me rekomandimet dhe standardet e reja ndërkombëtare.
Në një bashkëbisedim me gazetarët mbi procesin dhe rezultatet e Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023, ku ishin të pranishëm edhe ekspertë të demografisë, drejtoresha e INSTAT-it, Elsa Dhuli, tha se censi ofron informacion të përditësuar mbi popullsinë rezidente në Shqipëri dhe karakteristikat e tyre gjeografike, demografike, ekonomike, arsimore, mbi migracionin, banesat dhe karakteristikat e tyre.
Dhuli deklaroi përgjegjësi të plotë mbi saktësinë e të dhënave, që siç tha ajo janë marrë nga anketuesit të cilët kanë shkuar shtëpi më shtëpi për mbledhjen e të dhënave, duke hedhur poshtë akuza për pasaktësi të shifrave, shkruan “ATSH”.
Sipas përfaqësuesve të INSTAT-it, rritja e jetëgjatësisë dhe emigrimi i moshave riprodhuese janë disa nga faktorët që kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në plakjen e popullsisë.
Sipas tyre, censi 2023 ka pasur një koeficient mbulimi prej 97%, ndërkohë që vetëm një numër shumë i vogël personash kanë refuzuar t’u përgjigjen pyetjeve të anketuesve. (Elona)