Gjykata e Lartë e SHBA-së: Trump, pjesërisht imun për aktet zyrtare
2024-07-03 16:48:38

Donald Trump (Foto RTSH)

Gjykata e Lartë e SHBA-së vendosi që Donald Trump mund të kërkojë imunitet nga ndjekja penale për disa nga veprimet që ai ndërmori në ditët e fundit të presidencës së tij, por nuk ka imunitet për aktet jozyrtare.

Ky vendim hedh poshtë një vendim të dhënë më parë nga një gjykatë federale e apelit, sipas së cilës Trump nuk gëzonte imunitet për krimet e supozuara që ai kreu gjatë presidencës së tij për të ndryshuar rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, bën të ditur “RTSH”.

Vendimi i Gjykatës së Lartë ka të ngjarë të shtyjë më tej gjyqin për akuzat për  përmbysjen e zgjedhjeve federale kundër Trump. Kjo çështje do të kthehet në një gjykatë më të ulët e cila më pas do të vendosë se si të zbatohet vendimi i Gjykatës së Lartë.

Ish-presidenti Donald Trump përshëndeti vendimin e Gjykatës së Lartë për imunitetin presidencial, duke e quajtur atë një fitore të madhe për Kushtetutën dhe demokracinë.

Ish-presidenti amerikan po përballet me çështje të shumta ligjore, ndërsa po lufton me presidentin Joe Biden për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë. (Elona)