Divorcet (Foto Panorama)
Në vitin 2023, censi i popullsisë dhe banesave gjeti mbi 34 mijë persona në vend me statusin i divorcuar. Të dhënat sipas grupmoshave tregojnë se shumica e divorceve kulmojnë në grupmoshën 40-50 vjeç, shkruan “Panorama”.
Pjesa më e madhe e popullsisë prej 54.9% rezulton e martuar, 36.6% janë beqarë, ndërsa 7% e popullsisë i/e ve dhe 1.4% të divorcuar ose të ndarë.
Statusi martesor lidhet në mënyra të ndryshme me shëndetin e njerëzve, lindjen e fëmijëve, pjesëmarrjen në forcën e punës dhe mirëqenien e përgjithshme dhe është një variabël i rëndësishëm në analizën e ndryshimeve demografike dhe sociale.
Gjithashtu, referuar popullsisë së divorcuar ose të ndarë, femrat zënë 58.9%, ndërsa në popullsinë që nuk është martuar kurrë (beqar), 55.7% janë meshkuj.
Një barazi gjinore mund të vërehet për popullsinë e martuar. Megjithatë, nga analizimi i shpërndarjes gjinore dhe moshore të popullsisë së martuar, vihet re një përqindje më e lartë e femrave në grupmoshat më të reja, për shkak të moshës më të hershme të martesës së tyre.
Të dhënat tregojnë se deri në moshën 30 vjeç, përqindja e individëve beqarë është më e lartë. Pas moshës 30 deri në 85 vjeç, rritet përqindja e personave të martuar, duke arritur pikun me rreth 88% në grupmoshën 45-64 vjeç.
Pas moshës 65 vjeç e lart, përqindja e individëve të ve ka një rritje të konsiderueshme.
Në vitin 2020, Shqipëria kishte 6.16 martesa për një mijë banorë, pothuajse dyfishi i normës mesatare të Bashkimit Europian. (Elona)