Kryeministri izraelit: Faza e fundit e luftës kundër Hamasit përfundon së shpejti
2024-07-03 17:05:16

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu (Foto ATSH)

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, beson se faza kryesore e luftës kundër Hamasit islamik në Rripin e Gazës do të përfundojë së shpejti.

“Ne po shkojmë drejt fundit të fazës së çmontimit të ushtrisë terroriste të Hamasit”, - tha ai në Jerusalem në një pritje të Akademisë Kombëtare të Mbrojtjes.

Netanyahu vizitoi më herët Divizionin e Gazës, i cili aktualisht është i vendosur në qytetin Rafah, në jug të Rripit të Gazës, bën të ditur “ATSH”.

Izraeli ka bombarduar Gazën prej disa muajsh dhe nisi një ofensivë tokësore pas sulmit masiv të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor.

Të paktën 37.765 palestinezë janë vrarë dhe 86.429 të tjerë janë plagosur në Gaza që atëherë, sipas autoritetit shëndetësor në Gaza.

“Ofensiva në Rafah në kufirin me Egjiptin ka për qëllim çmontimin e njësive të fundit të mëdha luftarake të Hamasit”,- tha Netanyahu.

Megjithatë, milicia islamike mbetet ushtarakisht aktive në formën e njësive më të vogla.

Fjalët e kryeministrit izraelit tregojnë se ofensiva e madhe tokësore e ushtrisë në Rripin e Gazës së shpejti mund të marrë fund.

Netanyahu dhe zyrtarë të lartë ushtarakë kanë theksuar shpesh se trupat izraelite do të mbeten në lokacione strategjike në zonën e mbyllur bregdetare edhe pas fazës së luftimeve intensive. (Elona)