Kadare dhe Macron (Foto RTSH)
Presidenca franceze ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, duke e cilësuar atë si një mishërim të forcës së shpirtit europian.
Në deklaratën e Presidencës franceze, Kadare vlerësohet si një shkrimtar i madh, që nga kryeqyteti i Francës në atë të Shqipërisë, e ndau ekzistencën e tij mes fjalëve dhe gjërave, njerëzve dhe vendeve, citon “RTSH”.
“Është ndarë nga jeta një shkrimtar që mishëroi, me jetën, me veprën dhe me personalitetin e tij, pasurimin e dialogut, forcën e shpirtit europian dhe vokacionin mikpritës të Francës. Shkrimtari Ismail Kadare u largua nga ne këtë të hënë. Ai ishte një nga ata për të cilët shkrimi është një luftë; një nga ata që çdo fjalë u shkëputet nga heshtja, që çdo rresht rrezikon t'u shtohet minutave, ata që çdo roman kërcënon të jetë epitafi i karrierës së tyre...
Presidenti francez përshëndet një shpirt të lirë, i cili mori pjesë në këtë zgjim të madh të popullit që ngriti perden e hekurt dhe nderoi Francën duke e zgjedhur si azil të krijimit të tij. Ngushëllime të përzemërta të dashurve të tij, lexuesve të tij dhe popullit shqiptar”,- thuhet në komunikatën e Presidencës franceze.
Kadare u vlerësua nga Franca me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” dhe “Oficer i Legjionit të Nderit”.
Mjeshtri i fjalës dhe kolosi i letrave shqiptare, Ismail Kadare, u nda nga jeta mëngjesin e 1 korrikut në moshën 88-vjeçare. Në nder të tij, qeveria ka shpallur dy ditë zie kombëtare, 2 dhe 3 korrikun. (Elona)