Sondazhi i CGTN: 92.7 % mendojnë që “Fryma e Shangait” është model për tipin e ri të marrëdhënieve ndërkombëtare
2024-07-02 23:50:56

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Sytë e botës janë fokusuar përsëri te Organizata e Bashkëpunimit e Shangait (OBSh), teksa krerët e shteteve të organizatës më të madhe dhe më të populluar të bashkëpunimit rajonal në botë do të takohen në Kazakistan për të diskutuar çështjet e sigurisë dhe zhvillimit rajonal. Sipas një sondazhi global në internet të kryer nga CGTN, të anketuarit në përgjithësi besojnë se pas më shumë se 20 vjetësh zhvillimi, OBSh-ja është zhvilluar në një mburojë sigurie, një urë bashkëpunimi, një lidhje miqësie dhe një forcë konstruktive në rajon. 82.8 % e pjesëmarrësve në sondazh presin që OBSh-ja të flasë hapur për vendet e Jugut Global dhe të nxisë vendosjen e një rendi ndërkombëtar më të barabartë dhe më të arsyeshëm.

Që nga krijimi i saj, bashkëpunimi për sigurinë është një fushë e rëndësishme e OBSh-së. Të anketuarit në përgjithësi besojnë se, pas më shumë se 20 vjet zhvillimi, OBSh-ja është zhvilluar në një barrierë rajonale sigurie dhe ka dhënë kontribut të madh në luftën kundër "tre forcave", garantimin e sigurisë strategjike, ruajtjen e sigurisë së mbrojtjes, si edhe luftën kundër drogës, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar transnacional. Në sondazh, 89.6 % e të pyeturve besojnë se ndikimi rajonal dhe ndërkombëtar i OBSh-së po rritet; 83.7 % pohojnë se kjo organizatë ka luajtur një rol të madh në ruajtjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë rajonale.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Siguria është themeli i zhvillimit. Si anëtare e OBSh-së, Nisma e Sigurisë Globale e propozuar nga Kina është shumë e përputhshme me konceptin e sigurisë të OBSh-së, dhe kjo përgjithësisht njihet nga të anketuarit globalë. 91.2 % e tyre besojnë që dallimet dhe mosmarrëveshjet midis vendeve duhet të zgjidhen paqësisht nëpërmjet dialogut dhe konsultimit, në vend të sanksioneve të njëanshme dhe "juridiksionit me krah të gjatë"; 94.8 % e pjesëmarrësve besojnë se mentaliteti i Luftës së Ftohtë vetëm sa do të dëmtojë paqen globale, hegjemonizmi dhe politika e forcës vetëm sa do të rrezikojnë paqen botërore dhe kundërvënia në grup vetëm sa do të përkeqësojë sfidat e sigurisë.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Si një forcë konstruktive në qeverisjen globale dhe të rajonit euroaziatik, OBSh-ja gjithmonë i është përmbajtur "frymës së Shangait" të "besimit reciprok, përfitimit reciprok, barazisë, konsultimit, respektit për qytetërimet e ndryshme dhe ndjekjes së zhvillimit të përbashkët". OBSh-ja ka shërbyer si pioniere në rrugën e zhvillimit të një lloji të ri të organizatave ndërkombëtare, në të cilën vendet anëtare formojnë partneritete e jo aleanca dhe përpiqen për dialog dhe jo konfrontim. Në sondazh, 92.7 % e pjesëmarrësve janë shumë dakord me konceptin e "frymës së Shangait" dhe e konsiderojnë atë një model për nxitjen e ndërtimit të një tipi të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare; 83.9 % pohuan ndikimin e Kinës në OBSh, duke vlerësuar Kinën për nxitjen aktive të institucionalizimit të organizatës dhe ofrimin e një numri produktesh publike ndërkombëtare, përfshirë nismën “Një brez, një rrugë”; 82.8 % e të anketuarve presin që OBSh-ja të luajë një rol më të madh në qeverisjen globale, të flasë aktivisht për vendet e Jugut Global dhe të nxisë vendosjen e një rendi ndërkombëtar më të barabartë dhe më të arsyeshëm.