Balla takon në Uashington lushnjarin e shpallur “Mjeku më i mirë i Amerikës
2024-07-01 17:22:33

Ministri Balla takon mjekun shqiptar në Uashington (Foto ATSH)

Ministri Balla takon mjekun shqiptar në Uashington (Foto ATSH)

Ministri i Brendshëm Taulant Balla gjatë vizitës që po zhvillon në SHBA, u shpreh i entuziazmuar nga takimi që zhvilloi në Uashington me djalin nga Lushnja, Gentian Toshkëzi, pinjoll i një familje atdhetare myzeqare, i shpallur si “Mjeku më i mirë i Amerikës” (America’s Best Doctor).

Balla tha se, “ky ishte takimi më i bukur”, teksa e cilësoi rastin e Gentianit “si shembullin më të shkëlqyer të shqiptarëve që shkëlqejnë me arritjet dhe profesionalizmin e tyre”.

“Gentiani na bën krenarë të gjithëve. Sot ai drejton Departamentin e Neokirurgjisë në spitalin më të rëndësihëm të kryeqytetit amerikan në Uashington. E falenderoj pasi ka treguar atë që mund të bëjnë shqiptarët, duke arritur në nivelin më të lartë si profesionist, një doktor i shkëlqyer që i shërben jo vetëm amerikanëve, por gjithkujt që kërkon shërbime shëndetësore në një prej spitaleve më të rëndësishëm të Uashingtonit”, u shpreh Balla. (Fatosi)