Kina nxjerr rregullore për administrimin e tokës së rrallë
2024-07-01 16:58:25

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Kina miratoi të shtunën rregullore për  minierat, shkrirjen dhe tregtinë e tokës së rrallë, një material kritik që përdoret për prodhimin e magneteve në automjetet elektrike dhe elektronikën e konsumit, me qëllim për të nxitur zhvillimin me cilësi të lartë të industrisë së tokës së rrallë.

Sipas China Daily, rregullorja, e lëshuar nga Këshilli i Shtetit, thekson se Kina do të inkurajojë dhe mbështesë kërkimin, zhvillimin dhe aplikimin e teknologjive, produkteve, materialeve dhe pajisjeve të reja në industrinë e tokës së rrallë.

Qeveria kineze do të bëjë një planifikim të unifikuar për zhvillimin e sektorit dhe autoritetet e industrisë dhe teknologjisë së informacionit do të jenë përgjegjëse për një plan të tillë. Rregullorja e re do të hyjë në fuqi më 1 tetor.

Sipas Shoqatës së Industrisë së Tokës së Rrallë  të Kinës, vendi është bërë vitet e fundit prodhuesi dominues në botë i tokës së rrallë, duke përbërë gati 90 për qind të prodhimit global të rafinuar.

Rregullorja gjithashtu vuri në dukje se tokat e rralla i përkasin vendit dhe asnjë organizatë apo individ nuk lejohet t'i pretendojë ato, dhe çdo aktivitet i paligjshëm që përfshin prodhimin e mineralit do të ndëshkohet. Do të krijohet gjithashtu një sistem informacioni për gjurmueshmërinë e produkteve të tokës së rrallë, thuhet në rregullore.

Kompanitë që lidhen me minierat e tokës së rrallë, shkrirjen dhe ndarjen, dhe eksportin e produkteve të tokës së rrallë, duhet të krijojnë një sistem regjistrimi të produkteve. (Fatosi)