Foto nga VCG
Në Shkodër, një nga bashkitë pilot të zbatimit të Garancisë Rinore dhe të programit të BE-së “EU4Youth”, u organizua një takim me partnerë lokalë për të diskutuar mbi statusin e zbatimit të Garancisë Rinore, shkruan “ATSH”.
Garancia Rinore synon që çdo i ri nën 30 vjeç të marrë një ofertë pune cilësore, vazhdim të arsimimit, praktikë pune, ose trajnim brenda katër muajve. Projekti i BE-së për Rininë “EU4Youth”, i prezantuar së fundmi, do të sigurojë zbatimin e Garancisë Rinore si dhe do të forcojë mekanizmat e mundshëm për bashkëpunimin dhe koordinimin e aktorëve vendorë, për të përmbushur objektivat e Garancisë Rinore, bazuar në vlerën e shtuar të secilit.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe institucionet e linjës, organizatat rinore, shoqatat e biznesit si edhe shkollat profesionale.
Daniela Selimi, drejtuese e organizatës “Dimension Human”, e cilësoi thelbësor sigurimin e një shërbimi cilësor për aftësimin dhe këshillimin në karrierë për të rinjtë.
“Kjo do të mundësonte që të rinjtë të shohin një të ardhme cilësore e të sigurt për ta në Shqipëri. Jam e lumtur që kjo çështje do të adresohet përmes Garancisë Rinore dhe projektit “EU4Youth””,- tha Selimi.
Rozafa Zmijani, drejtoreshë e Drejtorisë Rajonale të Punësimit, AKPA, Shkodër, u shpreh se projekti do të ndihmojë të krijohet një mekanizëm i strukturuar që siguron bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e të gjithë aktorëve vendorë, për të lehtësuar aksesin në tregun e punës të të rinjve.
Projekti “BE-ja për Rininë” financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga UNDP-ja dhe UNICEF-i. Projekti synon të mbështesë harmonizimin e politikave të punësimit të rinisë në Shqipëri me rekomandimet e Këshillit të Europës për Garancinë Rinore, duke siguruar qasje universale për të rinjtë që nuk janë të përfshirë në arsim, aftësim apo punësim (NEET). (Irma)