Kryeministri Rama: Titujt e pronësisë do të ndihmojnë në shtimin e të ardhurave të familjeve në zonat bregdetare
2024-06-30 11:33:59

Foto nga ATSH

Kryeministri Edi Rama deklaroi se të gjithë titujt e pronësisë që shpërndahen janë bazë për të ndërtuar një ekonomi familjare.

Gjatë dorëzimit të 789 titujve të pronësisë në Dhërmi, kryeministri Rama tha se shtëpitë e vjetra janë asete dhe do të jenë edhe bujtinat më të kërkuara nga turistët, shkruan “ATSH”.

“Për këtë arsye shtëpitë e vjetra janë baza, sepse shtëpitë e vjetra, ato që janë ndërtuar nga gjyshërit dhe stërgjyshit tanë këtu, janë asete. Të gjitha këto janë bujtina që do të jenë gjithmonë e më të kërkuara, sidomos tani me rritjen e fluksit të turistëve”,- deklaroi kreu i qeverisë shqiptare.

Sipas tij, të gjitha shtëpitë e kësaj zone janë bazë për të ndërtuar një ekonomi plus.

“Do të rritet më shumë edhe vlera e pronës dhe do të rritet më shumë edhe numri i turistëve që do të vijnë dhe patjetër do të rriten dhe më shumë të ardhurat e familjeve që jetojnë me turizmin”, tha kryeministri Rama. (Irma)