Presidenti i Bankës Botërore: Bashkëpunimi me Kinën, shembull model
2024-06-30 15:29:21

Në një fjalim publik të fundit, presidenti i Bankës Botërore Ajay Banga tha: "Ne jemi përballur me sfida, por i kemi kapërcyer ato së bashku" dhe "Udhëtimi i jashtëzakonshëm i Kinës dëshmon se gjithçka është e mundur".

Në lidhje me këtë, një gazetare e CMG-së kreu një intervistë të posaçme me Ajay Banga, gjatë së cilës e pyeti që cilat përvoja dhe praktika në procesin e zhvillimit të Kinës mund të jenë referencë dhe frymëzim për vendet e tjera.

Në përgjigjen e tij Ajay Banga tha: “Unë mendoj se në disa aspekte Kina është një model mbi bashkëpunimin midis Bankës Botërore dhe vendeve të tjera. Më shumë se 40 vjet më parë, Kina ishte një përfituese e kredive nga Shoqata Ndërkombëtare e Zhvillimit. Kjo shoqatë jep kredi në kuadër të Bankës Botërore, duke përfshirë grante ose kredi shumë koncesionare, për vendet që kanë më shumë nevojë për fonde. Kina mori një kredi të tillë. Sot, Kina është bërë një nga donatorët më të mëdhenj të Bankës Botërore. Kjo ilustron në mënyrë të përkryer procesin e një vendi që shkon nga kërkimi i mbështetjes financiare nga Banka Botërore në ndihmën ndaj vendeve të tjera ndërsa zhvillohet".

Nga ana tjetër, shtoi ai, që nga fillimi, fokusi i bashkëpunimit mes qeverisë kineze dhe Bankës Botërore nuk ishte vetëm te kapitali, por edhe te dija. "Kina ka përdorur fondet, personelin e ekspertizën e Bankës Botërore për të promovuar projekte zhvillimi në Kinë, dhe tani ne po përdorim përvojën e Kinës në rajone të tjera. Ky lloj bashkëpunimi është gjithashtu një rast model për Bankën Botërore. Për shembull, konceptet dhe përvojat e zhvillimit të gjelbër dhe të qëndrueshëm të Kinës në ndërtimin e hekurudhave dhe infrastrukturës mund të zbatohen në vende të tjera. Mësimi i dyanshëm dhe mbështetja financiare janë po aq të rëndësishme. Unë u them të gjithëve se Banka Botërore është njëkohësisht një bankë kapitali e një bankë njohurish dhe Kina i ka përdorur plotësisht të dy aspektet," vuri në dukje Banga.