Bashkimi Europian dhe Egjipti nënshkruan një marrëveshje financimi prej 1 miliard euro
2024-06-30 11:46:28

Foto nga VCG

Bashkimi Europian dhe Egjipti nënshkruan një marrëveshje që do të shohë BE-në të investojë deri në 1 miliard euro (1.1 miliardë dollarë) në vendin arab, si pjesë e një partneriteti strategjik, shkruan “ATSH”.

Kjo marrëveshje është kësti i parë i një pakete më të madhe prej 7.4 miliardë eurosh të shpallur në mars nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Sipas KE-së, paratë do të investohen në sektorë si energjia e pastër, prodhimi dhe siguria ushqimore.

Marrëveshja u nënshkrua nga eurokomisioneri për Tregtinë, Valdis Dombrovskis, dhe ministrja egjiptiane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, Rania al-Mashat, gjatë konferencës së investimit BE-Egjipt të zhvilluar në Kajro, e cila synon të promovojë iniciativat e kompanive europiane në Egjipt.

“Egjipti dhe Europa janë më afër se kurrë, kështu që ky është një partneritet vërtet fitues”,- deklaroi presidentja e KE-së. (Irma)