Shqipëria anëtarësohet në Unionin Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës
2024-06-29 14:10:08

Foto nga VCG

Shqipëria anëtarësohet në Unionin Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës, duke u bërë vendi i 87-të i kësaj organizate, pas miratimit zyrtar të statuteve të saj.

Ky hap tregon përkushtimin e Shqipërisë ndaj përpjekjeve globale të konservimit.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është caktuar nga shteti si ndërlidhëse zyrtare me Sekretariatin e IUCN-së, shkruan “ATSH”.

“Bashkë me biodiversitetin e pasur ne sjellim edhe një angazhim të vendosur për mbrojtjen e mjedisit. Ky anëtarësim na ofron një platformë të vlefshme për të bashkëpunuar dhe mësuar nga praktikat më të mira globale, duke fuqizuar përpjekjet dhe politikat tona të ruajtjes”,- theksoi ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

“Me mbi 21.4% të territorit nën mbrojtje dhe me nisma të tjera, partneriteti ynë me IUCN-në do të forcojë aftësitë tona, do të bashkojë njohuritë tradicionale me shkencën moderne dhe do të kontribuojë ndjeshëm në objektivat mjedisore lokale dhe globale. Ne jemi optimistë për përfitimet e ndërsjellta që do të nixsë ky bashkëpunim duke fuqizuar praktikat tona të konservimit të biodiversitetit dhe duke avancuar në zhvillimin e qëndrueshëm”,- tha ministrja Kumbaro.

Shqipëria ka një gamë të larmishme mjedisesh natyrore, me maja të thepisura, pyje të harlisur, lumenj të pacenuar dhe peizazhe të pasura bregdetare. Këto ekosisteme të larmishme garantojnë një larmi të florës dhe faunës, duke kontribuuar në pasurinë e biodiversitetit të Shqipërisë.

Ndërsa Shqipëria i bashkohet IUCN-së si shteti anëtar i saj më i ri, të dyja palët janë të përkushtuara për të çuar më tej përpjekjet e përbashkëta për ruajtjen e biodiversitetit, restaurimin e ekosistemit, angazhimin e komunitetit, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe qeverisjen mjedisore. (Irma)