Kryebashkiaku Veliaj: Transformimi i Tiranës, shembull i ndryshimit
2024-06-29 14:44:32

Foto nga ATSH

Ndryshmet e jashtëzakonshme që kanë ndodhur vitet e fundit në Tiranë, si një qytet në zhvillim, kanë marrë vëmendjen e medieve botërore, çka ka rritur ndjeshëm numrin e turistëve, deklaroi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në samitin “Klosters Forum”, i mbajtur në Davos të Zvicrës, shkruan “ATSH”.

“Tirana është transformuar në një metropol ku turistët mezi presin ta vizitojnë. Ky sukses mund të përsëritet edhe në vëmendje të tjera, me guxim dhe kreativitet. Faleminderit themelueses së “Forumit Klosters”, Stephanie von Meiss, për përkushtimin ndaj qyteteve dhe drejtuesve të tyre”,- shkroi Veliaj në një postim në rrjetet sociale.

Në fokus të diskutimeve gjatë samitit ishin bumi turistik që ka pasur kryeqyteti shqiptar, rëndësia që po u jepet fëmijëve me ndërtimin dhe rikonstruktimin e 101 kopshteve dhe çerdheve, 42 shkollave të reja, si dhe 81 kënde lodrash në çdo cep të Tiranës.

Gjithashtu, në samit u vlerësua puna e Bashkisë së Tiranës sa i përket rindërtimit të lagjeve pas tërmetit, transformimit të Piramidës në qendrën më të madhe të teknologjisë në gjithë Rajonin, si dhe pati diskutime edhe për Tiranën si “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025”, që do të mirëpresë mijëra aktivitete. (Irma)