Gjykata Kushtetuese shfuqizoi pjesërisht disa nene të ligjit për profesionet e lira
2024-06-29 10:29:17

Foto nga ATSH

Gjykata Kushtetuese shfuqizoi pjesërisht disa nene të ligjit për profesionet e lira.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, komunikoi vendimmarrjen, ku thuhet se nuk u respektua parimi i sigurisë juridike si dhe parimi i proporcionalitetit, bën të ditur “ATSH”.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, kjo ishte një masë joproporcionale dhe këto kategori do të duhet të taksohen më 2029-n si të gjitha bizneset e tjera të vogla.

“Tatimi 15% ndaj kësaj kategorie filloi të zbatohej menjëherë pa u dhënë kohë të përshtateshin. Norma 15% nuk e kalon testin e proporcionalitetit pasi vetë ligjvënësi e ka përjashtuar për kategoritë e tjera”,- u shpreh Zaçaj.

Sipas saj, gjykata arriti në këtë përfundim duke mbajtur në konsideratë skemën tatimore dhe në veçanti faktin se detyrimi tatimor prej 15% ndaj kësaj kategorie tatimpaguesish filloi të zbatohej menjëherë pa u lënë kohë të mjaftueshme atyre të përshtateshin me skemën e re tatimore.

“Sa më sipër, Gjykata mbajti në vëmendje se ndonëse ligji ka hyrë në datën 18 maj 2023 dhe i shtrinte efektet e tij nga data 1 janar 2024, lista analitike e shërbimeve hyri në fuqi në datën 23 dhjetor 2023, pra vetëm disa ditë para fillimit të efekteve të ligjit. Gjithashtu, Gjykata vlerësoi se norma e tatimit prej 15% e parë së bashku me kohën e zbatimit të saj nuk e kalon testin e proporcionalitetit, pasi nuk rezulton të jetë masa më e përshtatshme, në kushtet kur ka masa të tjera alternative, të cilat vetë ligjvënësi i ka evidentuar të zbatohen për kategoritë e tjera të tatimpaguesve mbi të ardhurat”,- vlerësoi Zaçaj.

Gjykata ka rrëzuar kërkesat në lidhje me vetë masën e tatimit 15% dhe 23% të parashikuar në nenin 24 (2) të ligjit, për shkak se (siç nënvizohet edhe nga jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut), përcaktimi i kategorive dhe masës së tatimit mbeten brenda hapësirës së gjerë të vlerësimit dhe përgjegjësise kushtetuese të ekzekutivit dhe legjislativit.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata vendosi me shumicë votash pranimin e pjesshëm të kërkesës dhe shfuqizimin e dy neneve të ligjit. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkimeve për shfuqizimin e dispozitave të tjera të ligjit. (Irma)