Ministri Gonxhja: Bashkëpunimi me UNESCO-n i shërben trashëgimisë kulturore në Shqipëri dhe asaj botërore
2024-06-29 14:06:44

Foto nga ATSH

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, së bashku me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ishin në selinë qendrore të UNESCO-s në Paris, ku zhvilluan një takim me përfaqësuesit e nivelit më të lartë të drejtuesve të trashëgimisë botërore, shkruan “ATSH”.

Ministri Gonxhja deklaroi se palët arritën që të bien dakord për planifikimin e punës që duhet të ecë përpara mes UNESCO-s dhe qeverisë shqiptare, një bashkëpunim që i shërben mirë trashëgimisë kulturore në Shqipëri dhe trashëgimisë botërore.

Ministrja Kumbaro tha se pala shqiptare ka shtuar një tjetër dosje në UNESCO, atë të lumit Vjosa, i cili po përgatitet që të regjistrohet në kategorinë “Njeriu dhe biodiversiteti”.

“Zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit kalon përmes dy pasurive më të mëdha që ka Shqipëria, natyrës dhe trashëgimisë kulturore. Këtë konfirmim e morëm edhe në selinë e UNESCO-s në Paris”,- tha ministrja Kumbaro. (Irma)