Kreu i ASD-së: Depozitat bankare gjatë 2023-shit patën rritje prej 5.7%
2024-06-29 12:12:21

Foto nga ATSH

Kreu i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Genc Mamani, deklaroi se totali i depozitave në sistemin bankar për fundin e vitit 2023 ishte 1.605 miliardë lekë me një rritje vjetore të tyre prej 5.7%.

Ndërsa paraqiti raportin për vitin e kaluar në Kuvendin e Shqipërisë, Mamani tha se në fund të 2023-shit, vlera e depozitave të sigurueshme që përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave arriti në rreth 1.511 miliardë lekë, duke përfaqësuar 94% të totalit të depozitave, shkruan “ATSH”.

Ndërsa, sipas tij, totali i depozitave në shoqëri kursim krediti (shkk) shënoi 10.9 miliardë lekë, nga 10.3 miliardë lekë që ishte në vitin 2022, me një rritje vjetore prej 6.2%.

Kreu i ASD-së vuri në dukje se gjatë vitit 2023 Agjencia i ka përqendruar përpjekjet e saj në drejtim të realizimit dhe përmbushjes së rekomandimeve të rezolutës të Kuvendit të Shqipërisë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2022”.

“Angazhimi profesional i strukturave të ASD-së dhe bashkëpunimi efikas me autoritetet rregullatore, anëtarët e skemës dhe partnerët ndërkombëtarë ka garantuar dhe bërë të mundur që rekomandimet e Kuvendit të Shqipërisë të realizohen me sukses”, tha ai.

Gjatë vitit 2023, ASD-ja ka siguruar depozitat e vendosura nga depozituesit në 11 banka dhe 9 shoqëri kursim krediti. (Irma)