Ministrja Koçiu: Mjekët që abuzojnë me detyrën do të kenë ndëshkim ligjor dhe administrativ
2024-06-28 16:58:20

Ministrja Kociu (Foto Atsh)

Ministrja Kociu (Foto Atsh)

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, deklaroi nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë se abuzimi i rëndë me detyrën i përfaqësuesve të sistemit shëndetësor që kanë luajtur me jetën e të sëmurëve, duke kapërcyer çdo lloj norme profesionalizmi e ndjesie njerëzore, është një akt e një sjellje që ka vetëm një përgjigje, ndëshkimin ligjor, administrativ, por edhe moral, shkruan “ATSH”.

Lidhur me skandalin te spitali Onkologjik, ministrja Koçiu tha se çdo njëri për të cilët Ministria e Shëndetësisë ka nisur hetim administrativ, krahas hetimit që ka nisur Prokuroria, do të mbajnë mbi shpinë jo vetëm peshën e ligjit, por edhe moralin e turpit.

“Të gjithë ata që abuzojnë me detyrën, që e trajtojnë jetën njerëzore si mall në tregun e shumicës, do të përballen me ndëshkime dhe sanksione. Të gjithë profesionistëve të shëndetësisë do t’u hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit në rast se do të bëjnë ndërhyrje dhe sjellje amorale që cenojnë figurën e profesionistëve të shëndetësisë”,- theksoi ministrja.

Ajo kërkoi që mos të përbalet çdokush që punon me devotshmëri dhe me profesionalizëm të lartë. (Irma)