Indeksimi i pagave (Foto Atsh)
Ministri i Financave, Ervin Mete, deklaroi se duke filluar nga viti 2026 do të ketë indeksim të pagave në masën e inflacionit.
Në një deklaratë për mediet pas mbledhjes së qeverisë, ministri informoi se me ndryshimet ligjore të miratuara, parashikohet të realizohet indeksimi i të gjitha pagave në administratën publike me normën e inflacionit në fuqi, shkruan “ATSH”.
Sipas tij, ky indeksim do të realizohet në vazhdimësi çdo dy vjet.
Ministri informoi se nga 1 korriku avancohet faza e dytë e politikës së rritjes së pagave, e cila ka nisur në vitin 2023, fazë nga e cila përfitojnë rreth 135 mijë punonjës të administratës shtetërore.
Me zbatimin e kësaj politike paga mesatare në sektorin publik arrin në 105 mijë lekë. (Irma)