INSTAT: Shitjet në tregtinë me pakicë patën rritje me 4.9% në tremujorin e parë të vitit
2024-06-28 17:12:53

Karroce marketi (Foto Atsh)

Foto Atsh

Instituti shqiptar i Statistikave bëri të ditur se volumi i shitjeve në tregtinë me pakicë në tremujorin e parë të vitit shënoi rritje me 4.9 %, krahasuar me tremujorin e parë 2023.

Ky tregues i përshtatur sezonalisht është rritur me 1.7 % krahasuar me tremujorin paraardhës, shkruan “ATSH”.

Në raportin e publikuar nga INSTAT-i bëhet e ditur se volumi i shitjeve, pa përfshirë karburantet, është rritur me 6%, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2023.

Në grupin “ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve është rritur me 5.3%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2023.

Volumi i shitjeve për grupin “artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” është rritur me 6.7%, krahasuar me periudhën janar-mars 2023.

Në grupin “tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve është rritur me 2.3 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2023. (Irma)