Nën detin Baltik pritet të ndërtohet tuneli nënujor më i gjatë në botë
2024-06-28 16:31:37

Tuneli ne Baltik (Foto Rtsh)

Tuneli ne Baltik (Foto Rtsh)

Tuneli më i gjatë nëntokësor në botë do të lidhë Danimarkën dhe Gjermaninë, duke shkurtuar kështu udhëtimin mes dy shteteve. Ai pritet të hapet në vitin 2029.

Tuneli do të arrijë deri në 40 metra nën detin Baltik dhe do të jetë më i gjati në botë i ndërtuar nën ujë, shkruan “RTSH”.

Sipas “Fermern A/S”, kompanisë shtetërore daneze përgjegjëse për projektin, ky është projekti më i madh dhe më i avancuar i këtij lloji.

Tuneli, i cili do të jetë 18 kilometra i gjatë, është një nga projektet më të mëdha të infrastrukturës në Europë, me një buxhet ndërtimi prej mbi 7 miliardë euro.

Tuneli, emri zyrtar i të cilit është “Fehmarnbelt Fixed Link”, do të jetë gjithashtu tuneli më i gjatë i kombinuar rrugor dhe hekurudhor në botë. Ai do të përbëhet nga dy autostrada me dy korsi të ndara nga një kalim shërbimi dhe dy shina hekurudhore.

Përveç përfitimeve për trenat dhe makinat, tuneli do të ketë një ndikim pozitiv në kamionët e mallrave, sepse krijon një rrugë tokësore midis Suedisë dhe Europës Qendrore që do të jetë 160 kilometra më e shkurtër se ç’është aktualisht. (Irma)