Ministri Balla (Foto Atsh)
Prioritet i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA-së është lufta kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve, deklaroi ministri i Brendshëm, Taulant Balla, gjatë takimit në Departamentin Amerikan të Shtetit me ndihmëssekretarin e Shtetit, Todd Robinson.
Në një postim në rrjetet sociale, cituar nga “ATSH”, ministri Balla theksoi dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me agjencitë ligjzbatuese dhe programet e asistencës amerikane, përfshirë DEA, INL dhe ICITAP.
“Mirëpresim mbështetjen amerikane në forcimin e kapaciteteve dhe shkëmbimin e eksperiencave mes Akademisë së Sigurisë dhe shkollave të policisë në SHBA. Lufta kundër krimit të organizuar, prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike mbetet një prioritet kryesor”,- shkroi ministri Balla.
Sipas tij, goditjet ndaj grupeve kriminale po intensifikohen çdo ditë falë hetimeve komplekse në bashkëpunim me SPAK dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.
Balla theksoi se do të intensifikohen përpjekjet për përmirësimin e rezultateve në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, në kuadër të Mekanizmit Kombëtar të Referimit. (Irma)