Policia e Shtetit - Policia spanjolle (Foto Atsh)
Shqipëria do të jetë pjesë e projektit pilot të Bashkimit Europian në luftën kundër krimit, deklaroi komisioneri i përgjithshëm i Policisë Gjyqësore të Policisë Kombëtare të Spanjës, Luis Fernando Pascual Grasa, gjatë takimit në Tiranë me zv.drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, shkruan “ATSH”.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, takimi u fokusua në diskutimin mbi bashkëpunimin e deritanishëm, çështjet në interes në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe mundësitë për zgjerimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen përmes implementimit të projekteve rajonale.
Bizhga vlerësoi bashkëpunimin me autoritetet spanjolle dhe theksoi se nënshkrimi i marrëveshjes së fundit mes Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe asaj të Spanjës do të përforcojë bashkëpunimin operacional në luftën kundër krimit, sidomos narkotikëve.
Komisioneri Pascual Grasa shprehu falënderimet për bashkëpunimin dhe vlerësoi marrëveshjen e fundit si një hap të rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit. Ai dhe drejtori i Brigadës Qendrore kundër Krimit të Organizuar informuan për një projekt pilot të BE-së për luftën kundër krimit, ku do të përfshihet edhe Shqipëria.
Në përfundim, palët u shprehën se bashkëpunimi mes vendeve është një detyrim për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, si dhe theksuan rëndësinë e hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta si dhe shkëmbimin e informacionit në kohë reale. Bizhga ritheksoi se Policia shqiptare do të vazhdojë të jetë një partner serioz, profesional dhe i besuar për Spanjën dhe partnerët e tjerë. (Irma)