Ministria e Drejtesise (Foto Atsh)
Qeveria shqiptare miratoi krijimin dhe mënyrën e organizimit e të funksionimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit (DPAK).
Sipas këtij vendimi DPAK do të funksionojë si person juridik, publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për antikorrupsionin, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, me seli në Tiranë, shkruan “ATSH”.
Misioni i DPAK-së është të sigurojë parandalimin dhe goditjen e korrupsionit në institucionet e administratës shtetërore, entet publike, si dhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror.
DPAK-ja ka përgjegjësi funksionale të organizojë punën për koordinimin e përcaktimin e instrumenteve të domosdoshme për implementimin e politikave të fushës kundër korrupsionit, si dhe zhvillimin e projekteve e të programeve në fushën kundër korrupsionit.
Po ashtu, kjo drejtori do të angazhohet për rritjen e ndërgjegjësimit për zbatimin e politikave të fushës kundër korrupsionit; kryerjen e hetimit administrativ në kuadër të denoncimeve ose ankesave për praktika abuzive, korruptive apo arbitrare për zbatimin e ligjshmërisë, si dhe identifikimin e punonjësve të institucioneve ku DPAK-ja shtrin aktivitetin, të cilët, me veprime apo mosveprime, kanë kryer shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.
DPAK ndjek po ashtu edhe zbatimin e rekomandimeve të dhëna ndaj institucioneve.
Vendimi parashikon po ashtu edhe institucionet, entet publike dhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, ku krijohet pozicioni i koordinatorit kundër korrupsionit.
Koordinatorët kundër korrupsionit ushtrojnë veprimtarinë e tyre për institucionin ku janë emëruar në nivel qendror dhe rajonal/vendor.
DPAK-ja bashkëpunon me Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje dhe çdo platformë tjetër të ankesave publike online.
Po ashtu, DPAK-ja bashkëpunon dhe merr informacion nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe kryen të gjithë procedurën e hetimit administrativ të përcaktuar në këtë vendim për raste korruptive. (Irma)