Forcat e OBSh-së për mbrojtjen e paqes dhe lulëzimit të botës
2024-06-28 15:04:00

foto nga CMG

foto nga CMG

Ky është një park industrial me investime kineze në Taxhikistan. Nga mbjellja e pambukut në prodhimin e veshmbathjeve, ky park ka formuar me sukses një zinxhir të plotë industrial, i cili jo vetëm ka ngritur nivelin e teknologjisë së mbjelljes së pambukut dhe ka nxitur zhvillimin industrial, por edhe ka ndihmuar në industrializimin e Taxhikistanit.

Rustam Ganiev, drejtor ekzekutiv i Universitetit Shtetëror të Moskës në Dushanbe:

Parku Industrial i Bujqësisë dhe i Tekstileve "Zhongtai" në Taxhikistan ka qenë udhëheqës i këtij sektori dhe ka pasur suksese të mëdha qysh prej krijimit në vitin 2014. Nga ky park janë prodhuar 183 mijë veshje, 37 tonë prodhime tekstile të ngjyrosura dhe 50 tonë tekstile leshi, të cilat janë eksportuar në Rusi, Turqi, Bjellorusi, Poloni, Azerbajxhan, Kinë dhe Pakistan.

foto nga CMG

foto nga CMG

Qysh prej themelimit në vitin 2001, Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) ka zhvilluar bashkëpunim pragmatik në fushat e sigurisë rajonale, ekonomisë e tregtisë, komunikacionit dhe shkëmbimeve kulturore. Bashkërisht me nismën "Një brez, një rrugë", kjo organizatë i ka ndihmuar vendet anëtare për realizimin e zhvillimit të vazhdueshëm.

Akylbek Japarov, kryeministri i Kirgizistanit:

Ndërtimi dhe vënia në funksionim e hekurudhës Kinë-Kirgizistan-Uzbekistan jo vetëm do ta shndërrojë Azinë Qendrore në një qendër të shkëmbimeve midis qytetërimeve, por edhe në një nyjë tregtare e logjistike. Kirgizistani do ta shfrytëzojë plotësisht potencialin si vend kalimi dhe do të shndërrohet nga një vend në brendësi në një vend me dalje në det, me ndihmën e kësaj hekurudhe.

Abdulla Abdukadirov, nëndrejtori i parë i Agjencisë së Reformës Strategjike të Uzbekistanit:

Në vitin 2023, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë dypalëshe midis Uzbekistanit dhe Kinës i kaloi 13.7 miliardë dollarët amerikanë. Importojmë kryesisht produkte industriale dhe makineri nga Kina. Produktet e konsumit, veçanërisht automjetet elektrike, i kanë sjellë Uzbekistanit më shumë vlerë të shtuar.

foto nga CFP

foto nga CFP

Në fillim të korrikut do të zhvillohet në kryeqytetin e Kazakistanit Astana Samiti i 24-t i OBSh-së. Mësohet se gjatë këtij samiti do të miratohen disa dokumente të rëndësishme, përfshirë Strategjinë e Zhvillimit të OBSh-së deri më 2035, të cilat do të përcaktojnë objektivin dhe kursin e zhvillimit për këtë organizatë. Krahas kësaj, OBSh-ja pritet të pranojë anëtarin e saj të 10-të, Bjellorusinë.

Dr. Michael Borchmann, ish-drejtori i Drejtorisë së Punëve Evropiane dhe Ndërkombëtare të landit gjerman të Hesenit:

Në një kohë plot trazira dhe sfida në mbarë globin, ky bashkëpunim i thellë në bazë të besimit është më i nevojshëm se kurdoherë dhe kjo mund të shpjegojë faktin që janë shtuar gjithnjë e më shumë vendet që kanë interes të anëtarësohen në këtë organizatë ose të krijojnë lidhje me të.

foto nga CFP

foto nga CFP

Duke mbajtur "frymën e Shangait", që synon besimin e ndërsjellë, leverdinë e përbashkët, barazinë, konsultimet, respektin ndaj diversitetit të qytetërimeve dhe zhvillimin e përbashkët, OBSh-ja ka luajtur rol të rëndësishëm në mbrojten e paqes rajonale dhe zhvillimin e vazhdueshëm, në nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe në forcimin e fqinjësisë së mirë.

Akylbek Japarov, kryeministri i Kirgizistanit:

Pikërisht "fryma e Shangait" na solidarizon të parandalojmë çdo veprim të paarsyeshëm të vendeve të tjera ndaj vendeve anëtare të OBSh-së. Presim që anëtarët e OBSh-së të kenë përparim të përbashkët edhe në fushën ekonomike dhe asnjë vend të mos lihet prapa.

Enriko Ceko, drejtori ekzekutiv i Qendrës së Zhvillimit të Vazhdueshëm të Shqipërisë:

Parimet e respektimit të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial, mosndërhyrjes në punët e brendshme të njëri-tjetrit, mospërdorimit të forcës kundër njëri-tjetrit, zgjidhjes së të gjitha çështjeve nëpërmjet konsultimit të ndërsjellë etj., janë në përputhje edhe me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Organizata mbështet parimin e një bote shumëpolare.

Vicentiu Gheorghe, presidenti i nderit i Shoqatës "ChinaRo" të Rumanisë:

Vendet anëtare e vëzhguese të OBSh-së, si dhe partnerët e saj të dialogut, kanë bashkëpunuar ngushtë në përballimin e ndryshimit të klimës, terrorizmit, sigurisë kibernetike dhe sfidave të tjera globale, duke dhënë kontribut të madh për paqen, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e rajonit e të botës.  (Wang Lei/ Artan)