Protestë e mjekëve në Britani për pagat dhe kushtet e punës
2024-06-28 17:01:56

foto nga CFP

foto nga CFP

Mijëra mjekë në Britani nisën sërish protestat, pas një mosmarrëveshjeje të gjatë me qeverinë mbi pagat dhe kushtet e punës, duke ndërprerë shërbimet spitalore, vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar, shkruan “ATSH”.

Greva pesëditore është organizuar nga mjekët e rinj, ata në vitet e para të karrierës së tyre, pasi ata janë bllokuar në mosmarrëveshjen e pagave me qeverinë që nga fundi i vitit 2022.

Ata hynë në grevë për gjashtë ditë në janar, më e gjata në historinë e shërbimit shëndetësor në Britani, dhe spitaleve iu desh të anulonin dhjetëra mijëra takime dhe operacione.

Greva pritet të përfundojë të martën, vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve për Dhomën e re të Komunave.

Shoqata Mjekësore Britanike, sindikata e mjekëve, bëri të ditur se paga e tyre ka rënë me një të katërtën gjatë 15 viteve të fundit dhe ka bërë thirrje për një rritje të pagave prej 35%.

Sindikata bëri të ditur se mjekët e sapokualifikuar fitojnë rreth 15 paund (19 dollarë) në orë, paga minimale në Mbretërinë e Bashkuar është pak më shumë se 10 paund në orë, megjithëse pagat rriten me shpejtësi pas vitit të parë.

Qeveria konservatore bëri të ditur se u dha mjekëve rritje të pagave deri në 10.3% vitin e kaluar, duke e cilësuar një zgjidhje bujare. Sipas qeverisë, autoritetet nuk mund të bëjnë një ofertë pagese gjatë periudhës parazgjedhore, por sindikata refuzoi të anulonte grevat. (Irma)