Kina ndjek rrugën e bashkëpunimit ndërkombëtar në misionet e ardhshme hënore
2024-06-28 14:37:57

Sonda "Chang'e-6" u ul në anën e pasme të Hënës / foto nga CFP

Kina po çel një rrugë të re në hulumtimin hënor, që nxit bashkëpunimin ndërkombëtar dhe është e hapur për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara. Ky angazhim vjen pas misionit të suksesshëm "Chang'e-6", i cili përfshiu instrumentet shkencore nga Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA), Franca, Italia dhe Pakistani.

Duke u mbështetur në këtë bashkëpunim të suksesshëm, misionet e ardhshme hënore të Kinës, "Chang'e-7" dhe "Chang'e-8", do të zgjerojnë më shumë pjesëmarrjen ndërkombëtare. "Chang'e-7", i planifikuar për të nisur në vitin 2026, do të transportojë gjashtë instrumente shkencore nga partnerë të ndryshëm ndërkombëtarë, duke u fokusuar në rajonin e Polit Jugor të Hënës.

"Chang'e-8" pritet të nisë në vitin 2028 e do të ofrojë një kapacitet të posaçëm ngarkese 200 kilogramë për bashkëpunimin kërkimor. Misioni do të hedhë bazat për një stacion të mundshëm kërkimor ndërkombëtar në Hënë deri më 2035.

Administrata Kombëtare Hapësinore e Kinës (CNSA) ka nënshkruar tashmë dokumente bashkëpunimi me më shumë se 10 vende  e organizata ndërkombëtare lidhur me stacionin kërkimor, bëri të ditur Liu Yunfeng, zëvendësdrejtor i departamentit të bashkëpunimit ndërkombëtar në CNSA. (Wang Lei/ Artan)