Ministri Hasani (Foto Atsh)
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, deklaroi se fuqizimi i grave dhe progresi i arritur në kuadër të barazisë gjinore mbeten disa prej përparësive kryesore të Shqipërisë, gjatë takimit të organizuar nga MEPJ-ja në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave në Diplomaci, shkruan “RTSH”.
Ministri Hasani theksoi se duke siguruar pjesëmarrjen kuptimplotë të grave në të gjitha nivelet, Shqipëria ka parë përfitime reale të një shoqërie që di të shfrytëzojë energjinë dhe krijimtarinë unike të grave, për të kontribuar në zhvillim dhe për të përparuar ndjeshëm në plan afatgjatë.
“Gratë luajnë një rol kyç në promovimin e interesave të politikës së jashtme të Shqipërisë. 54.9% e gjithë stafit të MEPJ-së përbëhet nga gra dhe vajza. Puna e tyre në fushën e diplomacisë i ka mundësuar Shqipërisë të forcojë pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare, duke nxitur barazinë gjinore dhe të drejtat e njeriut të grave dhe vajzave”,- tha kryediplomati shqiptar.
Koordinatorja e përhershme e OKB-së për Shqipërinë, Fiona McCluney, vlerësoi arritjet e Shqipërisë në forcimin e rolit të gruas në postet vendimmarrëse dhe jo vetëm.
“Shpreh mirënjohjen për të gjitha gratë që bëjnë maksimumin në emër të Shqipërisë. Kam pasur mundësinë të flas me mjaft përfaqësuese të Shqipërisë në botë dhe ato janë në pozicione mjaft të rëndësishme të institucioneve ndërkombëtare. Jam prezantuar me punën e madhe që bëjnë ato në vende të ndryshme të botës. Keni përfaqësuese mjaft dinjitoze në diplomacinë ndërkombëtare”,- tha ajo.
Kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli, theksoi se sa më shumë gra të ketë në vendimmarrje, në diplomaci apo në shërbime të ndryshme në Shqipëri, aq më e mirë do të jetë e ardhmja për të gjithë.
Kryetarja e Komisionit parlamentar për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku, u shpreh se profesionistet e reja e kanë të vështirë rrugën e tyre drejt përfshirjes në fushën e politikës, teksa nënvizoi se nuk mund të ketë avancim pa mbështjen e tyre.
“Ndoshta për këtë arsye përfaqësimi politik sot nuk është në nivelin më të mirë. Por kam besim se nëse marrim parasysh këtë përfshirje të shumë grave në politikë dhe diplomaci, jam e sigurt se e ardhmja do të jetë më e ndritshme dhe më e mirë se sot”, deklaroi ajo.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ambasadoret e akredituara në Tiranë të vendeve të Rrjetit të Politikës së Jashtme Feministe, ku bën pjesë edhe Shqipëria. (Irma)