Ministri izraelit: Nuk dëshirojmë luftë në Liban, Hamasi të pranojë marrëveshjen e SHBA-së
2024-06-28 11:42:46

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Izraeli nuk dëshiron një luftë në Liban, por mund t’i shkaktojë dëme të konsiderueshme Hezbollahut nëse diplomacia dështon, deklaroi ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, gjatë vizitës së tij në Uashington, shkruan “RTSH”.

Sipas tij, Izraeli ka aftësitë ushtarake për ta shkatërruar Libanin, por vazhdon të preferojë një zgjidhje diplomatike për përplasjen me Hezbollahun në veri.

“Ne nuk duam luftë, por jemi gati për çdo skenar. Hezbollahu e di mirë se ne mund t’i shkaktojmë dëme masive nëse shpërthen një luftë”,- shtoi Gallant.  

Ai theksoi se Izraeli mbështet marrëveshjen e presidentit amerikan, Joe Biden, dhe se tani i takon Hamasit ta pranojë, ose të vuajë pasojat, shkruan “ATSH”.

“Ne jemi të përkushtuar për të sjellë pengjet në shtëpi. Pa përjashtim. Ne jemi të përkushtuar të mbrojmë popullin tonë. Lufta jonë nuk është kundër popullit të Gazës. Lufta jonë nuk është kundër popullit libanez. Lufta jonë është kundër Hamasit, Hezbollahut dhe mbështetësve të tyre, regjimit iranian”,- tha Gallant.  (Irma)