Nis programi për bujqësinë digjitale dhe transformimin rural
2024-06-27 17:11:34

Bujqësi (Foto RTSH)

Qeveria shqiptare, në bashkëpunim me partnerët e Kombeve të Bashkuara, ka nisur programin “Bujqësia Digjitale dhe Transformimi Rural” (DART), një program ambicioz trevjeçar (2024-2027) i financuar nga Fondi i OKB-së për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ).

Programi DART do të nisë zbatimin në ato fusha që aktualisht janë nën nivelin e shërbimeve dhe mundësive digjitale. Ai do të përdorë digjitalizimin për të transformuar sistemet agroushqimore për të qenë më të qëndrueshme, më të barabarta dhe për të rritur dhe mbrojtur jetesën në zonat rurale, bën të ditur “RTSH”.

Programi do të zbatojë ndërhyrje sistematike, si zhvillimet e politikave, shërbimet e qeverisjes elektronike dhe aktivitetet e ngritjes së kapaciteteve të bujqësisë digjitale, të synuara për punonjësit publikë, shkollat dhe qendrat e arsimit dhe trajnimit profesional, studentët dhe fermerët në shkallë të vogël, veçanërisht ata që janë më të pafavorizuar, si p.sh. gratë, të moshuarit, të rinjtë dhe personat me aftësi të kufizuara.

“Shqipëria është në rrugën e hyrjes në Bashkimin Europian (BE) ndërkohë që negociatat e para-anëtarësimit po zhvillohen në shumë fusha, duke përfshirë ushqimin, bujqësinë dhe zhvillimin rural. Ky proces do të sjellë ngritjen e sistemeve të informacionit elektronik që janë në përputhje me ato të kërkuara nga BE-ja, si vendimtare në ngritjen e sistemeve dhe politikave të modernizuara agroushqimore, si dhe mobilizimin e burimeve për të mbështetur zhvillimin e aftësive të fermerëve dhe përvetësimin e teknologjive digjitale”,- thuhet në njoftimin për shtyp të FAO-s.

Fokus i projektit është përmirësimi i sistemit dhe shërbimet ekzistuese të qeverisjes elektronike; mbështetje në përmirësimin e  Portalit të Fermerit për të ofruar informacione dhe shërbime këshillimore thelbësore për të paktën 15 000 fermerë, duke përfituar njëlloj burrat dhe gratë, veçanërisht në zonat e largëta dhe harmonizimi me kërkesat e BE-së për sistemet e informacionit elektronik publik.

Projekti synon që deri në vitin 2027, programi i Bujqësisë Digjitale dhe Transformimit Rural të mundësojë rritjen e produktivitetit bujqësor dhe konkurrencën në sistemet ushqimore, të çojë përpara rritjen socio-ekonomike, barazinë gjinore dhe të drejtat e njeriut dhe të përmirësojë jetesën rurale nëpërmjet zhvillimit të politikave gjithëpërfshirëse me në qendër fermerët në Shqipëri. (Elona)