Investime foto ATSH
Turqia ishte investitori kryesor i huaj në Shqipëri për tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, investimet turke shënuan vlerën e 69 milionë eurove, me një rritje prej 116% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shkruan “ATSH”.
Stoku i investimeve turke në fund të tremujorit të parë ka arritur në 1.06 miliardë euro, në rritje me 27% krahasuar me një vit më parë. Ndërmarrjet turke vazhdojnë të kenë një rol të rëndësishëm në sektorin financiar, atë energjetik, në industrinë nxjerrëse etj. Një tjetër investitor historik në Shqipëri, Italia, u rendit i dyti për tremujorin e parë të këtij viti, me një fluks investimesh të reja prej 41 milionë eurosh. Fluksi i investimeve italiane pësoi një rënie të lehtë me 4.7% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Italia ngelet një nga investitorët e huaj më të mëdhenj në Shqipëri. Stoku i investimeve italiane ka arritur në 1.53 miliardë euro, 26% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Investimet italiane janë të shpërndara nga këndvështrimi sektorial, por orientohen sidomos në aktivitetet e shërbimeve. (Elona)