OKB: 292 milionë persona përdorën lëndë narkotike në vitin 2022
2024-06-27 17:46:53

Droga (Foto ATSH)

Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan se 292 milionë njerëz në mbarë botën përdorën drogë në vitin 2022 dhe se përdorimi i drogës është rritur me 20 për qind në 10 vitet e fundit. 

“Raporti Botëror i Drogës 2024”, i cili përfshin të dhëna të vitit 2022, u publikua nga Zyra Ndërkombëtare e OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC), bën të ditur “ATSH”. 

Në raport thuhet se në vitin 2022, një në çdo 18 persona të moshës 15-64 vjeç në mbarë botën ka përdorur drogë. Droga më e përdorur ishte kanabisi dhe 228 milionë njerëz e kanë përdorur këtë substancë. Gjithashtu, afërsisht 60 milionë njerëz përdorin droga sintetike, 30 milionë njerëz përdorin substanca të llojit amfetamine, 23.5 milionë njerëz përdorin kokainë dhe 20 milionë njerëz përdorin ekstazi. Në raport theksohet se ka pasur një rritje të ndjeshme të numrit të njerëzve që vuajnë nga sëmundje të lidhura me drogën dhe që presin trajtim. Gjithashtu thuhet se 64 milionë njerëz në vitin 2022 patën probleme të ndryshme shëndetësore të lidhura me drogën. (Elona)