Ministrja Albana Koçiu (Foto RTSH)
Krahas hetimit nga Prokuroria e Tiranës, në Spitalin Onkologjik ka nisur edhe një hetim administrativ, pasi u zbulua se disa mjekë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nuk u ofronin shërbim shëndetësor të sëmurëve me kancer, por i transferonin në një klinikë mjekësore private.
Në një deklaratë për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, u shpreh se ky hetim ka nisur me strukturat e brendshme të auditit dhe antikorrupsionit, citon “RTSH”.
Sipas ministres, do të shihen aspekte të organizimit dhe punës në këtë spital, ndërsa po ashtu do të bëhet edhe një ridimensionim i këtij shërbimi. Ministrja Koçiu bëri të ditur po ashtu se do të propozojnë edhe amendime në Ligjin për Urdhrin e Mjekut, për të vendosur sanksione të forta për çdokënd që shpërdoron detyrën.
“Është e papranueshme që mjeku ta trajtojë jetën njerëzore si një mall në tregun e shumicës. Ne duam të sjellim në një dimension tjetër ushtrimin e detyrës së mjekut dhe infermierëve dhe do të propozojmë amendime në Ligjin për Urdhrin e Mjekut, për të vendosur sanksione të forta. Hetimi administrativ do të bëjë edhe një ridimensionim të shërbimit të onkologjikut”,- tha ministrja Koçiu.
Po ashtu, një reagim kishte edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili bëri të ditur se një hetim mbi QSUT-në, me fokus të veçantë spitalin Onkologjik, ka filluar që prej vitit 2023 dhe se po vijon ende. (Elona)