OBSH: Alkooli vret 2.6 milionë njerëz çdo vit
2024-06-27 17:44:41

Alkool (Foto RTSH)

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka dalë me raportin se alkooli vret 2.6 milionë njerëz çdo vit, një numër që mbetet i lartë pavarësisht një rënie të lehtë në vitet e fundit. 

Raporti i fundit i OBSH-së për alkoolin dhe shëndetin tregon se alkooli shkakton pothuajse 1 në 20 vdekje çdo vit në mbarë botën, duke përfshirë aksidentet rrugore, dhunën dhe një sërë sëmundjesh dhe çrregullimesh, përcjell “RTSH”. Sipas raportit, 2.6 milionë vdekje i janë atribuuar alkoolit në vitin 2019 bazuar në statistikat më të fundit në dispozicion, një shifër që barazohet me 4.7% të vdekjeve në mbarë botën atë vit. Përqindja më e lartë e vdekjeve që i atribuohen alkoolit në vitin 2019 ishte në grupmoshën 20-39 vjeç, 13%. Alkooli shkakton një sërë sëmundjesh, duke përfshirë cirrozën e mëlçisë dhe disa lloje kanceri. Nga 2.6 milionë vdekje të lidhura me alkoolin në vitin 2019, raporti tregon se 1.6 milionë njerëz vdiqën nga sëmundjet jo të transmetueshme, duke përfshirë 474,000 nga sëmundjet kardiovaskulare dhe 401.000 nga kanceri. Një shtesë prej 724.000 vdekjesh rezultojnë nga lëndimet, duke përfshirë trafikun dhe lëndimet e vetëshkaktuara. Europa regjistron nivelet më të larta të konsumit të alkoolit. (Elona)