Ministrja Baerbock (Foto ATSH)
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, kritikoi ashpër qeverinë izraelite të ekstremit të djathtë për dhunën e shtuar të kolonëve në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.
Gjatë një vizite në Jeruzalem, Baerbock kërkoi gjithashtu që grupi militant palestinez Hamas të pranojë propozimin e paraqitur nga presidenti amerikan, Joe Biden, duke e quajtur atë rrugën e vetme realiste drejt një armëpushimi dhe lirimin e pengjeve izraelitë që mbahen në Rripin e Gazës, shkruan “ATSH”.
“Hamasi ka në dorë që të lehtësojë menjëherë vuajtjet e njerëzve në Gazë”, - tha Baerbock.
Ajo akuzoi gjithashtu ekstremistët e djathtë në qeverinë e kryeministrit izraelit, Benjamin Netayahu, për nxitjen e konfliktit në Bregun Perëndimor.
“Pjesë të koalicionit qeverisës izraelit po rrezikojnë interesat e sigurisë izraelite në planin afatgjatë me politikën e tyre agresive të vendbanimeve”,- tha Baerbock pas një takimi me homologun e saj izraelit, Israel Katz.
Ajo kritikoi gjithashtu kushtet e raportuara brutale për palestinezët e arrestuar nga Izraeli. “Raportet tronditëse të kushteve mizore të paraburgimit për të burgosurit palestinezë në kampet dhe burgjet izraelite nuk përputhen me pretendimin e Izraelit për të qenë një shtet demokratik dhe kushtetues”,- tha Baerbock.
Ajo bëri thirrje që Izraeli të ofrojë një shpjegim për imazhet shqetësuese të operacioneve të ushtrisë izraelite në Jenin, të cilat kundërshtojnë ligjin ndërkombëtar humanitar. (Elona)