Rreth 3.3 milionë të huaj hynë në Shqipëri në periudhën janar-maj
2024-06-26 15:46:29

Vlora (Foto Orikuminews)

Rritja e turizmit ka vijuar edhe në muajin maj. Hyrjet e të huajve shënuan në muajin e pestë të vitit rritje me 30.6% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, cituar nga “ATSH”.

Në total, në janar-maj numri i të huajve regjistroi shifrën mbi 3.3 milionë apo 38.2 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas INSTAT-it, gjatë muajit maj 2024, rezultojnë të kenë hyrë, në territorin shqiptar 1.606.520 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ndërkohë, 1.615.862 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 30.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në maj 2024, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është Europa me 927.906 shtetas, pasuar nga Amerika, Azia Lindore dhe Paqësori, përkatësisht me 24.191 dhe 8.219 shtetas,- thuhet në njoftimin e INSTAT-it. (Elona)