Ashpërsohen me 30% të vlerës gjobat për ndotësit e mjedisit
2024-06-26 19:20:11

Komisioni për Çështjet Ligjore (Foto ATSH)

Komisioni për Çështjet Ligjore (Foto ATSH)

Komisioni parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi katër projektligje që lidhen me ashpërsimin e masave administrative për të gjithë ndotësit e mjedisit.

Projektligjet u prezantuan nga Almira Xhembulla, zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit, e cila parashtroi se ndryshimet ligjore të propozuara në të katër projektligjet synojnë ashpërsimin e masave administrative për të gjithë ndotësit e mjedisit, ndryshimin e natyrave juridike të gjobave, si dhe identifikimin e qartë se cilat do të jenë subjektet që do të penalizohen nga këto kundërvajtje administrative, citon “ATSH”.

Zëvendësministrja Xhembulla sqaroi nevojën e rishikimit të kuadrit ligjor duke e lidhur me prioritetet e vendit për zhvillimin e sektorit të turizmit dhe pasjen e një mjedisi sa më të pastër, detyrimet që rrjedhin nga procesi i negociatave për integrimin në BE dhe përafrimi me legjislacionin europian në këtë fushë.

Ajo tha se ndryshimet e propozuara në projektligjin “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis”, të ndryshuar, synojnë ashpërsimin e kundërvajtjeve administrative në legjislacionin në fuqi për mjedisin me 30% të vlerës së gjobave. (Elona)