Tensionet me Libanin, SHBA i bën thirrje Izraelit të shmangë përshkallëzimin në Lindjen e Mesme
2024-06-26 18:46:16

Liban gjatë sulmeve ajrore nga Izraeli / foto CFP

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Joav Galant, gjatë vizitës në Uashington kërkoi të riafirmojë lidhjet me aleatin kryesor të Izraelit, pasi kryeministri Benjamin Netanyahu kritikoi publikisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po vononin dërgesat me armë.

“Në një takim me Gallant në Departamentin e Shtetit, kryediplomati amerikan, Antony Blinken diskutoi rreth bisedimeve indirekte mes Izraelit dhe Hamasit mbi një marrëveshje që siguron lirimin e të gjithë pengjeve dhe lehtëson vuajtjet e popullit palestinez”,- tha zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller.

Sekretari Blinken theksoi rëndësinë e shmangies së përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit me Libanin dhe i kërkoi Izraelit angazhim për arritjen e një zgjidhjeje diplomatike, që lejon familjet izraelite dhe libaneze të kthehen në shtëpitë e tyre, bën të ditur “RTSH”.

Javët e fundit janë rritur tensionet mes dy vendeve, pasi Izraeli dhe lëvizja militante Hezbollah që mbështetet nga Irani shkëmbejnë vazhdimisht zjarr në kufirin dypalësh.

Kryeministri izraelit Netanyahu paralajmëroi të hënën se forcat izraelite po përfundojnë fazën më intensive të luftës në Gaza dhe do të rivendosen në kufirin verior me Libanin, megjithëse ai e quajti këtë veprim si mbrojtje. (Elona)