BE-ja nis hetimet për “App Store” të “Apple”
2024-06-26 18:02:55

App store (Foto ATSH)

Komisioni Europian njoftoi se do të nisë një hetim mbi praktikat e supozuara kundër konkurrencës në “App Store” të “Apple”.

Komisioni bëri të ditur se do të shqyrtojë praktikën e “Apple” për të ngarkuar një tarifë për dyqanet alternative të aplikacioneve dhe zhvilluesit e aplikacioneve sa herë që një përdorues i “iPhone” instalon softuerin e tij, shkruan “ATSH”.

Ai po shqyrton gjithashtu hapat që përdoruesit e pajisjes “Apple” duhet të ndërmarrin për të përdorur një dyqan alternativ aplikacionesh, si dhe kriteret e përshtatshmërisë së “Apple” për zhvilluesit që të ofrojnë aplikacione për “iPhone” nëpërmjet ueb-it dhe jo nëpërmjet “App Store” të “Apple”.

Hetimi ka të bëjë me Aktin e Tregjeve Digjitale të Bashkimit Europian (DMA), i cili rregullon sjelljen e “portierëve” digjitalë, pra kompanive që mbajnë pozicione të fuqishme dhe të ngulitura në ekonominë digjitale të BE-së, duke vepruar si ndërmjetës midis shumë përdoruesve dhe bizneseve.

Komisioni gjithashtu njoftoi se i ka dërguar “Apple” një pikëpamje paraprake se kompania ka shkelur DMA-në, duke i penguar zhvilluesit të drejtojnë lirisht përdoruesit jashtë ekosistemit të “App Store” të “Apple”, si pjesë e një hetimi të hapur. (Elona)