BE-ja zgjat mbrojtjen e ukrainasve që ikin nga lufta
2024-06-26 19:00:41

Ukrainas (Foto ATSH)

Ukrainas (Foto ATSH)

Bashkimi Europian ka zgjatur rregullat e emergjencës për të strehuar njerëzit që ikin nga konflikti në Ukrainë deri të paktën më 4 mars 2026.

“Ata që ikin nga agresioni i Rusisë mund të vazhdojnë të llogarisin në solidaritetin tonë”,- tha në një deklaratë sekretarja e shtetit belg për Azilin dhe Emigracionin, Nicole de Moor, e cila kryesoi bisedimet për zgjerimin e rregullave, bën të ditur “ATSH”.

Ukrainasve që ikën në Bashkimin Europian u është dhënë mbrojtje e menjëhershme pasi vendet anëtare të BE-së vendosën një regjim të përkohshëm të krijuar për rastet e dyndjeve masive të njerëzve.

Skema ekzistuese do të përfundonte në mars 2025.

Propozimi është krijuar për të shmangur procedurat e gjata kombëtare të azilit të nevojshme për të akomoduar një numër të madh të njerëzve të zhvendosur. Zgjatja e rregullave të përkohshme është e mundur deri në një vit.

Për më tepër, personat nën mbrojtje të përkohshme kanë të drejtë, ndër të tjera, për përfitime sociale, strehim, akses në arsim dhe leje pune. (Elona)