I dërguari kinez bën thirrje për armëpushim, për të parandaluar një katastrofë akoma më të madhe në Lindjen e Mesme
2024-06-26 17:55:18

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Fu Cong, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, bëri thirrje të martën për një armëpushim të menjëhershëm, për të parandaluar një katastrofë akoma më të madhe në Lindjen e Mesme. 

"Kina u bën thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë vetëkontroll dhe të përmbahen nga veprimet që mund të përshkallëzojnë tensionet, në mënyrë që i gjithë rajoni i Lindjes së Mesme, të mos zhytet në një katastrofë akoma më të madhe," tha Fu në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, mbi situatën në Lindjen e Mesme, duke përfshirë çështjen palestineze.

Fu detajoi dështimin e nismave që synonin armëpushimin, duke theksuar vazhdimin e operacioneve ushtarake nga Izraeli, pavarësisht rezolutave 2728 dhe 2735 të Këshillit të Sigurimit, që bënin thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të armiqësive. 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“Kina i kërkon Izraelit të ndërpresë menjëherë operacionet ushtarake në Gaza, si edhe të ndalojë ndëshkimin kolektiv të popullit të Gazës”, tha ai. 

Fu përsëriti detyrimet e Izraelit sipas ligjit ndërkombëtar humanitar, për të mbrojtur punëtorë dhe për të lehtësuar shpërndarjen e sigurt të ndihmave.

Ambasadori shprehu shqetësime të mëdha për përshkallëzimin e mundshëm rajonal, duke i bërë jehonë paralajmërimeve të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për situatën e pasigurt që shtrihet përtej Gazës. 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, për një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm në Gaza, një rinisje të hershme të procesit të zbatimit të zgjidhjes me dy shtete, si edhe realizimin e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Lindjen e Mesme, në një datë të hershme”, tha Fu, duke theksuar urgjencën për bashkëpunim global në nxitjen e stabilitetit dhe paqes në rajon.