Raporti i DASH-it: Shqipëria, përpjekje në rritje kundër trafikimit të qenieve njerëzore
2024-06-26 15:17:29

DASH (Foto ATSH)

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi raportin vjetor mbi trafikun e qenieve njerëzore në mbarë botën.

Sipas sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, dokumenti ofron vlerësimin më gjithëpërfshirës rreth fenomenit si dhe përpjekjeve të qeverive për ta luftuar atë.

Shqipëria renditet këtë vit, ashtu si edhe vitin e kaluar, në kategorinë e vendeve të nivelit të dytë. Në raport thuhet se qeveria shqiptare ka dëshmuar përpjekje të përgjithshme në rritje krahasuar me një vit më parë, citon “ATSH”.

“Qeveria hetoi në mënyrë të qartë më pak krime që lidhen me trafikimin, ndoqi penalisht më pak të dyshuar si dhe nuk dënoi asnjë trafikant për të dytin vit me radhë”,- thuhet në raport. Po kështu, konstatohet se policia dhe prokurorët e rretheve nuk kanë përvojën dhe specializimin e duhur për të hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e trafikimit dhe se autorët e dyshuar janë dënuar për krime më të vogla, si shfrytëzim prostitucioni, në vend të trafikimit.

Në raport thuhet se një pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të luftuar trafikimin kanë shënuar rënie. Kodi penal parashikonin dënime nga tetë deri në 15 vjet burg për veprën penale të trafikimit që përfshin një viktimë të rritur dhe 10 deri në 20 vjet kur viktima është fëmijë.

Në raport thuhet se Policia e Shtetit hetoi 26 raste, krahasuar me 85 raste në vitin 2022.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ndoqi penalisht tetë raste të reja (shtatë për trafikim seksual dhe një për një formë të papërcaktuar trafikimi), krahasuar me 17 raste të reja në vitin 2022. Po kështu vijoi të ndiqte penalisht 42 raste të nisura në vitet e mëparshme.

Raporti rekomandon hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të trafikimit si dhe dënimin e trafikantëve, duke përfshirë zyrtarët bashkëpunëtorë.

Po ashtu, kërkohen dënime të konsiderueshme me burgim për autorët dhe trajnim të gjyqtarëve në të gjitha nivelet për të marrë parasysh ashpërsinë e trafikimit gjatë dhënies së dënimeve; kërkohet që të ketë policë dhe prokurorë të specializuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht këto vepra penale; kërkohet forcimi i masave të ruajtjes së privatësisë së viktimës e që informacionet e tyre të mos shpërndahen.

Më tej në raport sugjerohet rritje e mbështetjes së qeverisë për shërbimet gjithëpërfshirëse të trajnimit profesional si dhe riintegrimit të viktimave. (Elona)