BERZH, 75.5 milionë euro financim për reduktimin e ndotjes së ujërave në bregdet
2024-06-26 17:34:56

Komisioni parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, miratoi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huas me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Mjedis i pastër dhe me aftësi ripërtëritëse, Deti Blu”.

Zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Almira Xhambulla, tha se shuma e financimit është 75.5 milionë euro.

Sipas saj, qëllimi i projektligjit është të reduktojë ndotjen nga burimet tokësore në mjedisin ujor në zona të përzgjedhura të brezit bregdetar jugperëndimor të Shqipërisë, citon “ATSH”.

Xhambulla tha se objektivat që projekti synon të arrijë lidhen me promovimin e qasjeve të integruara qarkulluese për mbrojtjen e peizazheve dhe burimeve ujore, uljen e ndotjes së ujit në lumin Vjosë dhe zgjerimin e infrastrukturës sanitare.

Projekti do të ketë impakt pozitiv në mjedis në terma afatgjatë, sepse synon përmirësimin e shërbimeve publike bashkiake nëpërmjet menaxhimit të kontrolluar dhe të qëndrueshëm të mbetjeve të ngurta bashkiake dhe ujërave të ndotura.

Shqipëria po përmirëson kuadrin ligjor për menaxhimin e mbetjeve, duke e përafruar me atë të BE-së. Plani i Ri Kombëtar i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve 2020-2035 synon të përfshijë parimet e ekonomisë qarkulluese në sistemin kombëtar të menaxhimit të mbetjeve.  (Elona)