Ministri Gonxhja: Shndërrim i fshatrave të braktisur në qendra turistike
2024-06-26 18:48:51

Fshatra turistike (Foto ATSH)

Modeli i “Albergo Diffuso” (AD), që fokusohet në shndërrimin e fshatrave të braktisur në qendra turistike, po zbatohet edhe në Shqipëri. Kjo u bë e ditur nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.

“Albergo Diffuso” është një koncept revolucionar në turizëm, i cili ka si qëllim shndërrimin e fshatrave të braktisur në qendra turistike autentike dhe plot gjallëri, shkruan “ATSH”.

Me origjinë nga Italia në vitet 1980, më shumë sesa me akomodimin, ky model ka të bëjë me përjetimin e jetës në fshatra dhe qendra të vogla historike. Sipas këtij modeli, në vend të ndërtimeve të reja të hoteleve, shfrytëzohen shtëpitë ekzistuese të fshatit.

Akomodimet janë të shpërndara nëpër shtëpi të banuara, duke ftuar vizitorët të jetojnë si vendas.

Gjithashtu “Albergo Diffuso” është një model i turizmit të qëndrueshëm që respekton dhe integrohet me komunitetet dhe natyrën lokale.

Në thelb të këtij modeli qëndron fakti i të përjetuarit të jetesës së vërtetë lokale. (Elona)