Komisioni Hetimor paralajmëron kryeministrin izraelit për marrëveshjen e nëndetëseve me Gjermaninë
2024-06-26 15:41:10

Kryeministri izraelit (Foto Telegraphindia)

Një komision hetimor izraelit ka dërguar letra paralajmëruese, duke përfshirë një për kryeministrin Benjamin Netanyahu, pas një hetimi që zgjati më shumë se dy vjet.

Komisioni shqyrtoi procedurat për prokurimin e nëndetëseve dhe korvetave gjermane, të cilat janë anije të vogla luftarake, për Marinën izraelite midis viteve 2009-2016.

Komisioni bëri të ditur se Netanyahu mund të dëmtohet nga hetimi, bën të ditur “ATSH”.

Sipas memorandumit prej 11 faqesh, Netanyahu mund të preket negativisht nëse komisioni arrin në përfundimin se ai ka marrë vendime me ndikim të rëndësishëm në sigurinë e vendit pa një proces të organizuar vendimmarrjeje dhe se ka lidhur marrëveshje me Gjermaninë për çështjet e sigurisë dhe ekonomike, duke anashkaluar qeverinë e tij.

Katër persona të tjerë thuhet se kanë marrë letra paralajmëruese, duke përfshirë ish-ministrin e Mbrojtjes, Moshe Ya’alon, dhe ish-kreun e Mossad-it, Yossi Cohen.

Gjermania i ka dorëzuar Izraelit pesë nëndetëse, ndërsa një e gjashtë është ende për t’u dorëzuar.

Në vitin 2022, Izraeli dhe Gjermania përfunduan një marrëveshje për blerjen e tre nëndetëseve të klasës së re “Dakar”, e para prej të cilave është planifikuar të dorëzohet brenda nëntë viteve. (Elona)