Udhëheqësit e BE-së bien dakord për mandatin e dytë të von der Leyen
2024-06-26 19:06:52

Ursula von der Leyen (Foto ATSH)

Ursula von der Leyen (Foto ATSH)

Udhëheqësit e BE-së që negociojnë postet kryesore të bllokut kanë rënë dakord të emërojnë Ursula von der Leyen për një mandat të dytë si presidente e Komisionit Europian.

Si pjesë e marrëveshjes, negociatorët ranë dakord gjithashtu që ish-kryeministri portugez, Antonio Costa, të jetë presidenti i ardhshëm i Këshillit të Europës.

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, do të jetë shefja e re e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, shkruan “ATSH”.

Marrëveshja vjen përpara një samiti të liderëve europianë që do të mbahet në Bruksel të enjten dhe të premten për të vendosur se kush do të udhëheqë institucionet e Bashkimit Europian për pesë vitet e ardhshme.

Për t’u emëruar, von der Leyen ka nevojë për mbështetjen e një shumice të kualifikuar të përforcuar të liderëve të BE-së, që përfaqësojnë të paktën 20 vende dhe 65% të popullsisë së Bashkimit Europian.

Presidenti i KE-së është në krye të krahut të fuqishëm ekzekutiv të BE-së, i ngarkuar me zhvillimin e politikave të reja të BE-së, zbatimin e ligjeve ekzistuese të unionit dhe përfaqësimin e bllokut në samite të rëndësishme ndërkombëtare si G7. (Elona)